
Gjykata nuk pranoi kërkesën e prokurores, e liroi Ninin dhe vlerësoi arrestimin e tij si të paligjshëm. Gjithsesi, Nini u mbajt 72 orë në mënyrë të paligjshme në Komisariatin Nr. 3, duke i cenuar të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante.
Për më shumë se 16 muaj, Prokuroria e Tiranës nuk ka arritur të justifikojë hetimet e saj me prova bindëse kundër biznesmenit Aldor Nini për të çuar çështjen në gjykim për historinë rozë me mbesën e Anila Bashës, Sara Basha. Si përfundim, pas 3 seancash përgatitore, dosja iu kthye Prokurorisë, pasi hetimet, mbi të cilat ishte ngritur akuza kundër Ninit, ishin të cekëta.
Prokuroria nisi hetimet kundër Ninit, duke dyshuar se ai ka shpërndarë një video, në të cilën, sipas Prokurorisë, ai goditet nga mbesa e Anila Bashës, Sara Basha, me grushte dhe shqelma për arsye të dobëta. Videoja u shpërnda në rrjet pasi Nini u akuzua nga Anila Basha se ishte një “dhunues femrash”. Videoja vërtetoi të kundërtën dhe shfajësoi Ninin, por Prokuroria nisi hetimet kundër tij për shpërndarjen e videos, dhe jo kundër mbesës që ushtronte dhunë ndaj tij.
Sara Basha, e pranishme në seancat e para, për t’i shpëtuar pyetjeve të sikletshme që e akuzonin për kallëzim të rremë, nuk u paraqit më në seancat e radhës, duke dërguar një avokat që ta përfaqësonte.
Dosja përmbante një ekspertizë psikologjike të “viktimës” nga e cila nuk rezultonte që të përmbusheshin pasojat e parashikuara për veprën penale të përndjekjes. Ndërkohë që prokuroria, në akuzën e saj, përmendte një gjendje të rënduar të viktimës, viktima bënte një jetë të shfrenuar dhe të lumtur, të cilën e reklamonte bujshëm në Instagram dhe TikTok për një periudhë prej më shumë se gjashtë muajsh nga momenti i ngjarjes.
Përveç këtij fakti flagrant, prokuroria vetë identifikoi që akuza për dhunë në familje ishte e pabazuar në fakte dhe kërkoi vetë pushimin e kësaj akuze, duke ngritur dyshime mbi viktimën për kallëzim të rremë.
Për të përshpejtuar çështjen në favor të familjes Basha, Prokuroria gjithashtu nuk kishte ndjekur procedurat e duhura për të kërkuar nga kompania META disa të dhëna elektronike përmes linjës ligjore me shtetet e huaja, por kishte kontaktuar kompaninë amerikane META pa përfshirë entitetet ligjore amerikane.
Një nga provat e paraqitura nga viktima në gjykatë rezultonte një numër telefoni Vodafone që mbaronte me 35, i cili sipas viktimës ishte përdorur për të hapur llogaritë me përmbajtjen e videos në Instagram. Jo vetëm që në përgjigjen e kompanisë META ishte shënuar që ai profil nuk kishte asnjë numër regjistrimi, por prokuroria kishte lënë mënjanë faktin që ai numër me 35 ishte regjistruar gjithashtu nga vetë familja e viktimës në dyqanin e tyre të Vodafone te Shkolla Baletit, pa asnjë dokument ligjor të Ninit por në emër të kompanisë së tij.
Këtë fakt prokuroria e kishte injoruar për ta hetuar më tej, për të verifikuar nëse provat ishin fabrikuar nga vetë viktima për të fajësuar Ninin.
Në datën e arrestimit të Ninit, atij i ishte konfiskuar një telefon, por për të cilin Prokuroria nuk kishte kryer asnjë akt ekspertize. Nini i kishte ofruar policisë kodin e telefonit, por policia dhe prokuroria kishin refuzuar ta hapnin ose ta ekzaminonin – pasi ekspertiza e telefonit mund të kishte mbështetur pafajësinë e Ninit.
Gjatë hetimeve, Prokuroria kishte kërkuar nga operatorët telefonikë vendndodhjet e Ninit për data dhe orare të caktuara. Përgjigja e operatorëve nuk është përfshirë në dosjen e hetimeve, pasi ajo mund të kishte vërtetuar që Nini ka qenë larg vendngjarjeve në datat dhe orët e ngjarjeve.
Në vend që të kryhej një akt ekspertize teknike për provat e mbledhura, Prokuroria kishte nxjerrë konkluzionet e veta nga provat, pa i studiuar ato nga ana teknike, dhe kishte injoruar edhe fakte të thjeshta, siç ishte fakti që adresat IP të mbledhura ishin nga një periudhë shumë përpara ngjarjes.
Por si nisi historia e sherrit?
Në korrik të vitit 2023, Anila Basha, halla e kallëzueses, nisi një fushatë mediatike kundër Aldor Ninit, pasi Basha nuk ishte dakord që kompania e tij, Acromax, të ndërmerrte masa ligjore për shkeljen e të drejtave të autorit kundër portalit të saj Newsbomb.
Për hakmarrje, Anila nisi jo vetëm një fushatë mediatike me shpifje kundër Ninit, ku e quajti atë “dhunues femrash”, por përfshiu edhe mbesën e saj, Sara Basha, me të cilën Aldor Nini ishte frekuentuar deri në fund të vitit 2022.
Pasi doli një video që provonte se jo Nini, por mbesa e saj ishte dhunuese, dhe përveç kësaj, ajo ishte dhunuar gjithashtu nga familja e saj, mbesa u përdor nga Anila për të justifikuar akuzën e rëndë të përndjekjes kundër Ninit – si arsye për akuzën u përdor dalja e videos, e cila faktikisht demaskoi mbesën si dhunuese.
Në atë kohë, Nini kishte qenë për gjashtë muaj në një lidhje me një vajzë tjetër dhe nuk kishte asnjë interes të përndiqte mbesën, ndërkohë që po jetonte i lumtur me vajzën tjetër. Por OPGJ-ja e Komisariatit Nr. 4, Ervin Hysa, duke injoruar këto fakte, vendosi më datën 05.07.2023 të arrestojë Ninin pa prova dhe me iniciativën e policisë, pa marrë udhëzime nga Prokuroria.
Elona Alvora ishte prokurorja e parë që mori dosjen pas arrestimit dhe, pa e studiuar, i kërkoi gjykatës që Nini të mbahej në arrest deri në përfundimin e hetimeve.
Gjykata nuk pranoi kërkesën e prokurores, e liroi Ninin dhe vlerësoi arrestimin e tij si të paligjshëm. Gjithsesi, Nini u mbajt 72 orë në mënyrë të paligjshme në Komisariatin Nr. 3, duke i cenuar të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante.
Më pas dosja i kaloi prokurorit Bledar Maksuti, i cili refuzoi t’i kthente pasaportën gjermane Ninit për të udhëtuar lirshëm, duke injoruar faktet e shumta që tregonin se Nini nuk do të arratisej.
Sërish, gjykata u detyrua të ndërhynte dhe të urdhëronte kthimin e pasaportës së Ninit. I pakënaqur me vendimin, Maksuti urdhëroi kthimin e pasaportës, por nuk hoqi shënimin nga sistemi TIMS.
Si rezultat, Nini duhet të presë çdo herë që hyn ose del nga territori i Shqipërisë për konfirmimin telefonik të policit që e arrestoi në mënyrë të paligjshme. Maksuti ndërmori hetime të njëpasnjëshme për të provuar fajësinë e Ninit dhe ngriti akuzën kundër tij disa ditë para se të emërohej prokuror në SPAK.
Maksuti vetë u emërua me një proces të dyshimtë në SPAK, pasi vendin e tij e kishte fituar Prokurori Ndini Tavani, por një komision i posaçëm emëroi Maksutin.
Dosja tashmë menaxhohet nga prokurori Arbër Berexha, i cili duhet të rishikojë hetimet e kryera.
Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka kryer hetime të bujshme, por të cekëta, kundër Ninit, ajo nuk ka kryer asnjë veprim hetimor kundër Anila Bashës dhe mbesës së saj për të njëjtën akuzë të përndjekjes, pavarësisht që Nini ka dorëzuar prova në Prokurori, nga të cilat rezulton se mbesa e saj e ndiqte Ninin dhe të dashurën e tij në aeroporte dhe avione, evente të Bashkisë, si dhe përmes mikut të saj Valmir Xhaferaj, i cili u ndalua nga policia në flagrancë në përpjekje për ta kërcënuar Ninin me makinë te ura e Tajvanit.
Arsyeja pse prokurori Robert Kote dhe OPGJ-ja e tij, Bashkim Malaj, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim hetimor për më shumë se një vit për akuzat e Ninit kundra Bashës, por Prokuroria është marrë vetëm me hetimet kundër Ninit, të cilat rezultuan shumë të cekëta në rezultat, mbetet e pashpjegueshme deri më sot.
Në vijim të proceseve ligjore, këtë të hënë do të jetë vetë Anila Basha përpara gjykatës penale, për shpifje, në më shumë se 30 raste. Çështja në fjalë është ngritur nga Nini që në qershor të vitit 2023 dhe ende nuk ka përfunduar, kryesisht pasi Anila nuk është paraqitur në asnjë nga seancat si e akuzuar, ndërkohë që mbesën e saj e shoqëronte në seancat e saj në të njëjtën gjykatë./Prapaskena
Lini një Përgjigje