TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Dhjetor 2025, 16:57

Gjyqtarët kërkojnë të dalin 75 vjeç në pension: Ka shumë çështje stok

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqtarët kërkojnë të dalin 75 vjeç në pension:

Propozimet e fundit të mazhorancës për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë kanë hapur një debat të fortë në Komisionin për Mbikëqyrjen Institucionale, ku u vu në pikëpyetje jo vetëm efektiviteti i këtyre ndryshimeve, por edhe mungesa e një analize të thelluar për problematikat aktuale të sistemit.

Një nga propozimet që ka ngjallur më shumë debat është ai i Unionit të Gjyqtarëve për shtyrjen e moshës së pensionit për magjistratët deri në 75 vjeç, si një përpjekje për të zbutur krizën e mungesës së gjyqtarëve. “Për fat të keq, kjo çështje ka shkuar tashmë në emergjencë”, tha Olsi Komiçi, duke e justifikuar si një masë të përkohshme për të frenuar bllokimin e dosjeve në gjykata.

Por kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, ish-ministri i Drejtësisë dhe drejtuesi i reformës në drejtësi, kritikoi ashpër qasjen aktuale të qeverisë, duke theksuar se ndryshimet nuk mund të bëhen në mënyrë të fragmentuar. “Nuk ka problem më të madh se ky, por a e zgjidhin këto ndërhyrje ligjore?”, pyeti Xhafaj, duke vënë theksin te mungesa e një analize 10-vjeçare për efektet reale të reformës.

Xhafaj ngriti gjithashtu shqetësimin për ndërhyrjet përjashtuese, që sipas tij nuk adresojnë problemin në themel. “Çfarë ka ndodhur? KLGJ dhe KLP nuk kanë bërë punën e tyre dhe ne ndërhyjmë me zgjidhje ad hoc për drejtuesit e institucioneve. Po sikur të ndodhë prapë?”, paralajmëroi ai.

Debati preku edhe përbërjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, ku u propozua forcimi i filtrave për pasurinë dhe lidhjet e anëtarëve jo-magjistratë. “I futëm aty përfaqësues nga avokatia, akademia e shoqëria civile që të sjellin interesin qytetar. A garanton kjo ndërhyrje profesionalizimin?”, shtoi Xhafaj.

1 Komente

  1. O
    Orjoni

    Nje pjese si zoti xhafaj nuk duhej te ishin,dhe nuk duhet te punonin ne asnje funksion publik. Dhe ne moshen 70 vjeçare jane bere per tu vene njerez qe te kujdesen per to. Nga 55 deri 70 vjeç duhen derguar per vizite tek neurologu dhe psikiatri.

    Lini një Përgjigje