TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Tetor 2024, 22:24

Eugen Beci: S'ka hapësirë, prokuroria duhet të fillojë hetimet në lidhje me mënyrën e arrestimit të Metës

Shkruar nga Pamfleti

Eugen Beci: S'ka hapësirë, prokuroria duhet të fillojë

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, ofroi një vlerësim të thellë mbi ekzekutimin e vendimeve penale dhe rolin e prokurorisë në proceset gjyqësore, duke veçuar rastet që përfshijnë figura të rëndësishme të politikës shqiptare. Ai sqaroi se caktimi i masës së sigurisë nga gjykata, sidomos në rastin e gjykatës së posaçme, dhe kontrolli mbi zbatimin e saj janë kompetenca ekskluzive të prokurorit. Kjo mbikëqyrje nis që nga momenti i caktimit të masës së sigurisë deri në përfundimin e dënimit, për të siguruar që procesi është i rregullt dhe në përputhje me ligjin.

Beci nënvizoi se është thelbësore që prokuroria të ushtrojë kontroll të shtuar mbi formën e arrestimit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave të përcaktuara në kodin e procedurës penale.

Për të, forma e arrestimit ka një rol kritik, sepse mbikëqyrja e ekzekutimit të vendimeve penale mbetet ekskluzivitet i prokurorit në bazë të ligjit shqiptar. Duke u mbështetur në përvojën dhe praktikat e ndjekura nga prokuroria dhe policia shqiptare, Beci shpjegoi se, pas caktimit të një mase sigurie në mungesë, fillon monitorimi i afërt i të dyshuarit, përmes përgjimit të telefonatave dhe autorizimit për vëzhgim të afërt fizik, me qëllim shmangien e një arratisjeje të mundshme dhe ekzekutimin e procesit të arrestimit në mënyrë të efektshme.

Vendimet penale, ku në rastin konkret dhe caktimi i një mase sigurie nga gjykata e posaçme për një subjekt, kontrollohen në ekzekutimin e tyre nga prokurori, nga momenti i caktimit të masës së sigurimit deri në përfundimin e dënimit.

Këto vendime të gjykatës, në ekzekutimin e tyre, janë gjithmonë nën kontrollin e prokurorit sipas ligjit të veçantë dhe kodit të procedurës penale.

Duhet të ketë një kontroll tjetër nga ana e prokurorisë për formën e arrestimit. Forma është e rëndësishme në ekzekutimin e vendimeve penale, sepse mbikëqyrja e tyre është ekskluzivitet i prokurorit sipas ligjit në fuqi në Shqipëri.

Mënyra e arrestimit, duke marrë parasysh praktikën që ndjek prokuroria dhe policia shqiptare, lidhet me faktin që për një person ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit, pasi është nxjerre masa e sigurimit në mungesë, fillon të ushtrohet përgjimi, jo vetëm nëpërmjet telefonave, por edhe me autorizimin për vëzhgim të afërt fizik të personit, me qëllim që ai të mos shmanget nga ekzekutimi i procesit të arrestimit.

Duhet gjetur koha dhe vendi i përshtatshëm, sipas manualeve të policisë, për të shmangur dëmet kolaterale, si për punonjësit e policisë ashtu edhe për qytetarët që mund të jenë në zonë.

Thënë me pak fjalë, policia gjyqësore, e cila është e angazhuar në ekzekutimin e masës së sigurimit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ish-president të Republikës, duhet të tregojë kujdes të shtuar. Minimalisht, duhet të zbatojë protokollet standarde, që përfshijnë prezencën e policëve me uniformë, mjete të identifikuara me logot përkatëse, dhe mjete mbështetëse policore, në rast se operacioni kryhet në një zonë publike, ku ndihma nga policia rrugore është e nevojshme.

Për këtë arsye, të gjitha këto aspekte duhet të jenë objekt i një hetimi që prokuroria e posaçme duhet të kryejë në lidhje me ekzekutimin e vendimit të urdhëruar prej saj.

Nëse kthehemi tek viti 2000, ku nuk bëhej fjalë për arrestim, por për shoqërimin e ish-presidentit Sali Berisha, edhe atëherë, pavarësisht urrejtjes që ekzistonte nga ana e policisë së kohës, nuk u regjistrua asnjë veprim dhune.

Forcat speciale shkuan me mjete të loguara, rrethuan automjetin ku ndodhej ish-presidenti Berisha dhe një deputet tjetër i PD-së. Ata nuk pranuan të zbrisnin nga automjeti dhe u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë. As Berisha, as deputeti tjetër nuk u detyruan me forcë të zbrisnin nga makina.

Kjo na tregon se sa herë që arrestohen persona të lidhur me opozitën, gjithmonë ka një kamerë dhe gjithmonë krijohet një shfaqje mediatike. Ndërkohë, nuk shohim të njëjtën gjë për arrestimet apo hetimet që lidhen me personazhe të mazhorancës”, u shpreh Beci.

Lini një Përgjigje