Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, raportoi ditën e sotme kërkesat për buxhetin 2026 në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Ai u shpreh se do të duhet të bëhet një rishikim në buxhet, pasi parashikohet të kalohet tavani i vendosur nga qeveria, duke shtuar këtu faktin që SPAK do të rikonstruktohet në një godinë me 6 kate dhe do të ketë më shumë punonjës.
“Kërkesat tona buxhetore janë paraqitur që në dy fazat tona të përgatitjes. Pavarësisht nga mbështetja buxhetore e parashikuar, në vitin 2026 shpenzimet për BKH-në dhe Prokurorinë e Posaçme janë parashikuar më lart se tavanet e vendosura.
Është marrë në proces rikonstruksioni i SPAK që punimet të përfundojnë në tre-mujorin e parë të vitit 2026. Bëhet fjalë për një objekt me 6 kate dhe për këtë është kërkuar dhe rritja e numrit të punonjësve. Në zërin e shpenzimeve përfshihen dhe kërkesa të tjera të mirëmbajtjes”, tha Mara.
Në fjalën e tij, Mara u shpreh gjithashtu se buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm synon të përmbushë objektivat prioritarë e strategjikë, që kanë në thelb luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.
“Projektbuxheti është i ndarë në buxhetin për SPAK-un dhe BKH-në. Synon përmbushjen e objektivave prioritarë e strategjikë, si përmirësimin e kapaciteteve të hetimit penal, forcimin e kapaciteteve për hetimet financiare e pasurore dhe ndjekjen efektive të konfiskimit të pasurive të paluajtshme e të paligjshme, qasje proaktive në hetimin e pastrimit të produkteve të veprës penale, thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe teknologjinë e qëndrueshme. Këto aspekte synojnë përmbushjen e objetivave të SPAK-ut për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. SPAK-u synon të kontribuojë në forcimin e shtetit ligjor. Buxheti ka pësuar një rritje, me parashikim për 336 milionë lekë për shpenzime pagash, transferta. Parashikimet pë pagat arrijnë në rreth 1.6 miliardë lekë, nga të cilat 621 milionë lekë për SPAK-un dhe 1.4 miliardë për BKH-në”,-tha Mara.
Ndërsa Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja nga ana tjetër u shpreh se Komisioi do të jetë i hapur për të dëgjuar sërish kërkesat e SPAK menjëherë pas futjes në godinën e re.
“Dua të theksoj që nga viti 2020 deri 2026, qeveria ka akorduar për SPAK-un 7.3 miliardë lekë, gjë që ka garantuar mirë-funksionimin e kësaj strukture. Shpresoj që godina e re që pritet të përfundohet të merret në administrim sa më shpejtë dhe nëse do të keni kërkesa shtesë gjatë ushtrimit të vitit buxhetor, shto këtu dhe këtë që ka të bëjë me këto ruajtjen e kripto-valutave, ne këtu do të jemi”, tha Manja.
Lini një Përgjigje