
Në përvjetorin e Kongresit të Manastirit, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua Simpoziumi Shkencor “Alfabeti që bashkon shqiptarët”.
117 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Ai ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908.
Sot, pas 117 vitesh, ky Kongres njihet e do të vazhdojë të njihet si Kongresi i Alfabetit, Kongresi që bëri kthesë për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, Kongres nga i cili u formua alfabeti unikal shqiptar.
Në këtë ditë të rëndësishme në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua Simpoziumi Shkencor “Alfabeti që bashkon shqiptarët”. Aktiviteti u nderua me pjesëmarrjen e gjerë të autoriteteve shtetërore, institucioneve akademike dhe komunitetit shkodran.

Në simpozium morën pjesë: Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda; Kryetari i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou; Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, deputetë dhe përfaqësues vendorë, si edhe pedagogë, studentë, nxënës e qytetarë të Shkodrës.
Presidenti i Republikës përshëndeti simpoziumin, duke e cilësuar Ditën e Alfabetit si një ndër momentet themelore të identitetit kulturor shqiptar dhe duke theksuar rëndësinë e rolit të universiteteve në ruajtjen, studimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.

Begaj theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe ndër breza, sakrificat e atdhetarëve dhe kontributin e studiuesve për ruajtjen dhe pasurimin e shpirtit të kombit.
“Gjuha është shenja e kombësisë, është shpirti i një kombi. Ajo mban kujtesën, zakonet, këngët, legjendat, mënyrën tonë të të menduarit e të ndierit. Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, që i ka mbijetuar pushtimeve, ndalimeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur. Asnjë fuqi e huaj nuk mundi ta shlyejë, sepse ajo jetonte në zemrat e njerëzve, në fjalët e nënës, në këngët e trimave, në rrëfimet e të urtëve. Shqipja na ka mbajtur gjallë si komb kur nuk kishim shtet, kur nuk kishim ushtri e as kufij të përcaktuar. Prandaj, të ruash e të zhvillosh gjuhën shqipe është një akt patriotik po aq i rëndësishëm sa mbrojtja e atdheut”, tha ai.

Në kushtet e hyrjes së fjalëve të reja si efekt i vrullit teknologjik, Kreu i Shtetit vuri theksin në pasurimin e gjuhës dhe përcjelljen e saj te fëmijët, sidomos të atyre të Diasporës.
“Çdo gjuhë, por veçanërisht ato që fliten nga një numër më i vogël bashkëkombësish, si shqipja, ditët e sotme janë në rrezik, nga njëra anë prej ndikimit të gjuhëve ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, prej deformimeve që ndodhin në komunikimin digjital. Besoj se pedagogët e nderuar të këtij universiteti e dinë më mirë se kushdo se, kush nuk e flet mirë gjuhën e vet, do të jetë gjithmonë i kufizuar të mësojë gjuhët e tjera. Kush dëshiron të flasë mirë një gjuhë të huaj, duhet të nisë duke mësuar mirë dhe me dashuri gjuhën amtare”, theksoi Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit nderoi figurat historike të Kongresit të Manastirit, e krahas tyre kontributin e atdhetarëve e të studiuesve të mëvonshëm. Duke iu referuar veprimtarëve shkodranë, Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Luigj Gurakuqit, emrin e të cilit mban universiteti i Shkodrës, ku dhe u kremtua Dita e Alfabetit, si dhe studimet dhe përpjekjet e studiuesit të historisë së albanologjisë, Jup Kastrati, studiuesit të alfabetit, Tomor Osmani, dhe veprën e gjuhëtarit Bahri Beci.

Në fund të fjalës, Kreu i Shtetit përcolli këtë mesazh bashkë me urimin për Ditën e Alfabetit: “Sot, ne kemi gjithçka që ata ëndërruan: kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi arsim shqip, media shqip, teknologji shqip. Por kemi edhe një detyrim moral: ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë trashëgimi të shenjtë: gjuhën tonë, si shenja më e gjallë e identitetit shqiptar”.
Ndërsa Rektori Tonin Gjuraj, në fjalën e tij përshëndetëse, vuri në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe faktin se alfabeti i unifikuar i shërbeu kombit si mjeti më i fuqishëm i bashkimit kulturor dhe arsimor. Ai solli në vëmendje kontributin e figurave të mëdha si At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda dhe Mit’hat Frashëri, duke rikujtuar mesazhin e Fishtës se “puna e gjuhës asht punë e shejtnueshme”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje