TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shtator 2024, 12:45

“Ai është viktimë e një sistemi që ka ngritur vetë”, Artan Hoxha zbulon taktikën e Berishës për të luftuar mediat

Shkruar nga Pamfleti

“Ai është viktimë e një sistemi që ka ngritur

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar taktikën që ish-kryeministri ndjek në përpjekjen e tij për t’i luftuar mediat.

Hoxha iu referua disa deklaratave, ku Berisha pretendon se nuk i ka kërcënuar mediat, të cilat kanë raportuar në lidhje me hetimin e SPAK mbi përfshirjen e tij në aferën ‘Partizani’. Ai tha se ish-kryeministri ndjek të njëjtën strategji që ka ndjekur gjithmonë, e cila përfshin barrikadimin e mediave, selektimin e atyre të cilat janë më kritike ndaj tij, për të përfunduar me goditjen një nga një të secilës prej tyre.

“Beteja e Berishës… Unë mendoj që ai përdor të njetën formë që ka përdorur edhe në të kaluarën. Sa herë që del dhe thotë ‘unë nuk i kërcënoj mediat,’ në fakt gjëja numër një që bën Berisha [është që] i barrikadon mediat. I ndan në pro dhe kundra sepse do t’i ketë një pjesë aleatë edhe në atë luftën që [mediat] bëjnë me njëra-tjetrën. Pasi i përçan, mundohet të selektojë më problematikët. Pra, ata që mund  t’i prishin më shumë punë në imazhin publik. Dhe, pasi i selekton këta, fillon goditjen. I qëmton dhe fillon goditjen një nga një. Pra, së pari, ai do të të heqë nga ajo tufa e madhe. Do ta përgjysmojë tufën. Në momentin që e përgjysmon tufën, bën disa goditje të tjera që tufa të shpërbëhet dhe pasi e ka shpërbërë, mundohet që t’i lajë hesapet ose t’i qërojë hesapet – po përdor termat e zhanrit me të cilin merrem përditë  pra, t’i qërojë hesapet një nga një”, tha Hoxha në një intervistë për “Gazetën Tema”.

Ndërkaq, në lidhje me po të njëjtën temë, Hoxha u shpreh se Berisha ka rënë viktimë e një sistemi që ka ngritur vet, pasi është pikërisht ish-kryeministri, i cili publikon gjithçka që i vjen nga ‘qytetari digjital.’

“Ajo që thotë Berisha është e drejtë. Gazetarët nuk duhet të publikojnë vetëm akuzën e prokurorit, por duhet të marrin edhe vendimin e palës tjetër. Por, ne jemi Ballkan dhe këtë standartin që e kërkon Berisha për vete, me të drejtë, s’e ka kërkuar për të tjerët. Sot Berisha është viktimë e një sistemi që e ka ngritur vet. Është njeriu që merr dhe lexon çdo rresht atje. Publikon çdo gjë që i vjen nga qytetari digjital. Pra, bën diskreditimin e gjithkujt dhe për fat të keq, sot ka rënë vet viktimë e këtij sistemi”, tha Hoxha.

Lini një Përgjigje