TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Tetor 2024, 20:00

A do t’i rrëzojnë bandat përgjimet e “Sky Ecc”? Vendimi i Strasburgut dhe testi i Kushtetueses përballë Pëllumb Gjokës

Shkruar nga Pamfleti

A do t’i rrëzojnë bandat përgjimet e “Sky Ecc”?

Ka shumë bosë krimi, por edhe zyrtarë nën hetim që lusin që përgjimet të shpallen të pavlefshme. Madje ka zëra që thonë se po bëhet shumë presion ndaj gjykatës...

Teksa krimi në Shqipëri (por edhe politika) po tenton të shpallë të pavlefshme përgjimet e "Sky Ecc", sot ka ardhur një zhvillim shumë i rëndësishëm nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ajo e ka shpallur të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni ‘EncroChat’, të cilin e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit.

Ka pasur shumë debate nëse përgjimet e dala nga ‘Sky Ecc’ dhe ‘EncroChat’ mund të merren për bazë. Madje dhe te ne ka një manovër për t’i rrëzuar. Pëllumb Gjoka, investitori strategjik i Ramës i arrestuar, përmes avokatit të tij ka bërë një padi në Kushtetuese.

A do t’i rrëzojnë bandat përgjimet e “Sky Ecc”?
Vendimi i Strasburgut

Ai kundërshton mënyrën se si janë tërhequr aktet nga SPAK të vëna në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Kolegji kushtetueses parimisht ka vendosur ta kalojë në seancë publike, por ende nuk ka asnjë vendimmarrje.

SPAK nga ana tjetër kërkon që Kushtetuesja të rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe Apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.

Gjoka u arrestua falë informacioneve që Prokuroria e Posaçme mori nga agjenci europiane, të cilat kanë mundur të deshifrojnë komunikimet përmes telefonave të koduar mes të cilëve dhe emra jo të paktë shqiptarësh.

Grupi i personave të kapur në korrik gjatë operacionit “Metamorfoza” dyshohet për një numër të madh veprash penale, që nga “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, etj.

Por vendimin po e presin me interes shumë të tjerë, pasi nëse pranohet kërkesa e tij, do të vendoset precedent dhe për të tjerët.

Ka shumë bosë krimi, por edhe zyrtarë nën hetim që lusin që përgjimet të shpallen të pavlefshme. Madje ka zëra që thonë se po bëhet shumë presion ndaj gjykatës. Dje ishte gazetari, Klodian Tomori që shkruante se janë ofruar deri në 100 mln euro.

Po luhet para e madhe për të rrëzuar përgjimet e "Sky-Encro" si të paligjshme. Ka zëra nga tregu që flasin për një shifër 100 milionë euro që është vënë në dispozicion. Por ndonëse këto janë gjëra që nuk verifikohen dot, ka një fakt që tashmë është në sytë e të gjithëve. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese dhe dorëheqjen dhe shkoi në shtëpi, pa asnjë zhurmë, ditën për diell. Rrufe në qiell të hapur. Presioni mbi Gjykatën Kushtetuese duhet të jetë i madh. Dhe ky nuk është presion, që mund të bëhet vetëm nga krimi. Sepse krimi nuk e ka atë fuqi. Kjo duket një lojë që po bëhet për të shpëtuar politikanë dhe njerëz të drejtësisë”, shkruante ai.

Por a do të bjerë Kushtetuesja pre e presioneve? Vendimi sot i Strasburgut, ndonëse ishte vetëm për “EncroChat”, është një sinjal i qartë për Kushtetuesen se ato përgjime janë të drejta dhe duhet të mos bëhet pazar me krimin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje