TAGS-AT E JAVËS

Kosova20 Korrik 2026, 08:15

Vonesat në thirrjen e seancës konstituive, AAK akuza LVV-së: Papërgjegjshmëri dhe e dëmshme për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Vonesat në thirrjen e seancës konstituive, AAK akuza LVV-së:

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka kritikuar vonesën në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, 12 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke e cilësuar situatën si të papërgjegjshme dhe të dëmshme për funksionimin e institucioneve.

Sipas Ramadanit, nuk ekziston asnjë arsye e arsyeshme për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit, proces që do të mundësonte edhe nisjen e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të vendit.

"Konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye normale të vonohet. I vetmi plan prapa kësaj vonese është bllokada. Shihet qartë se as nuk u ngutet, as nuk e kanë dertin e funksionimit të shtetit. Mbi 10 ditë që u certifikuan rezultatet, këta luajnë hajgare me shtetin", ka shkruar Ramadani.

Rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik, ndërsa deri më 7 gusht deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit. Në anën tjetër, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka mbrojtur vonesën, duke thënë se partitë politike duhet të kenë kohën e nevojshme për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve. Ai ka theksuar se kjo varet nga gatishmëria e partive të ish-opozitës.

"Unë uroj që partitë politike opozitare të kenë hequr dorë nga kjo qasja 18 mujore e destruktivitetit dhe të bllokimit të procesit të krijimit të institucioneve. Nëse kanë hequr dorë, jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje. Por duhet të ketë një minimum vullneti tek opozita, ndërsa maksimumi i gatishmërisë sonë do ta mundësojë një marrëveshje", ka deklaruar Rrustemi.

Më herët është raportuar se ekziston një dakordësi në parim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve dhe ndarjen e pozitave, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, negociatat janë pezulluar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas nismës për shkarkimin e tij, të mbështetur me nënshkrime nga delegatë të Kuvendit të partisë.

Zyrtarë të LDK-së kanë bërë të ditur se synojnë ta mbajnë Kuvendin e partisë para 7 gushtit. Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca konstituive pritet të mbahet gjatë muajit gusht. Njohësi i zhvillimeve politike, Fitim Gashi, vlerëson se përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve i takon partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, kjo parti duhet të angazhohet seriozisht në negociata me të gjitha subjektet parlamentare dhe të mos kufizojë përpjekjet vetëm te LDK-ja.

"Nëse negociatat me LDK-në nuk prodhojnë rezultat, kjo nuk duhet të shërbejë si arsyetim se janë konsumuar të gjitha mundësitë dhe se vendi duhet domosdoshmërisht të shkojë në zgjedhje të reja", ka deklaruar Gashi.

Dy ditë pas certifikimit të rezultateve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, kishte refuzuar ftesën për takim.

aak lvv

Lini një Përgjigje